Ushqimet e importit më të lira, por në tregje çmimet vetëm rriten
Edhe pse kostot e ushqimeve të importuara kanë rënë për tre vite me radhë, tregjet e pakicës vijojnë të shënojnë rritje çmimesh, duke mos reflektuar uljen e kostos së furnizimit.
Importet më të lira, por efekti nuk transmetohet te konsumatori
Të dhënat e Doganave tregojnë se gjatë tremujorit të tretë 2025 një kilogram produkte nga grupi “Ushqime dhe pije alkoolike” kushtoi 116.7 lekë, rreth 0.7% më pak se një vit më parë dhe 8% më pak se në tremujorin e parë të vitit. Rënia e çmimit për njësi përkundër rritjes së sasisë së importeve lidhet me ofertën më të bollshme në tregjet ndërkombëtare dhe zëvendësimin e prodhimit vendas nga importet.
Megjithatë, çmimet në tregjet e pakicës janë rritur me rreth 3% këtë vit, pak më shumë se inflacioni mesatar. Tregtarët nuk e kanë reflektuar uljen e kostove të furnizimit, duke ruajtur marzhe të larta fitimi, të mbështetura edhe nga përqendrimi i madh i tregut në pak kompani të mëdha.
Kosto të brendshme në rritje dhe reagim i ngadalshëm ndaj tregjeve globale
Ndonëse importuesit furnizohen më lirë, çmimet në vend ndikohen edhe nga faktorë të brendshëm si pagat më të larta, shpenzimet e transportit dhe praktikat tregtare që ngadalësojnë transmetimin e ndryshimeve të tregjeve ndërkombëtare. Shqipëria është ndër vendet ku çmimet e ushqimeve reagojnë me vonesë ndaj luhatjeve globale.
Periudhat e pikut të konsumit, si sezoni turistik apo fundviti, vijojnë të shoqërohen me rritje çmimesh edhe kur kostot e importit janë të ulëta, për shkak të kërkesës së fortë dhe mungesës së konkurrencës së gjerë.
Ushqimet, më të shtrenjta se mesatarja e BE-së
Për herë të parë në vitin 2024, çmimet e ushqimeve në Shqipëri rezultuan 1% më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian, ndërsa të ardhurat për frymë me fuqinë blerëse janë vetëm 41% e mesatares së BE-së. Nga viti 2005 deri në 2018, ushqimet në Shqipëri kushtonin mesatarisht 68–78% të nivelit europian, por që prej 2018-s çmimet kanë vijuar të rriten me ritme të larta.
Produktet më të shtrenjta krahasuar me BE-në janë vezët, djathi dhe qumështi, që kanë arritur në 131% të mesatares europiane, ndërsa ushqimet e tjera janë 24% më të shtrenjta. Pijet joalkoolike kushtojnë 19% më shumë se mesatarja e BE-së, ndërsa më të lira mbeten vetëm cigaret, me çmim 47% të nivelit europian.